Me ndihmën e dy këshilltareve nga opozita, Lidhja Demokratike e Kosovës- dega në Podujevë në koalicion me PD- në, kanë zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fatmir Gashin, raporton Llapi.info.
Donjetë Jakupi nga PDK e cila edhe sot dha betimin e saj si këshilltare komunale dhe Tringë Sfishta nga AAK kanë qenë dy këshilltaret e opozitës të cilat i kanë dhënë votën pro për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fatmir Gashi.
Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila para se të fillonte votimi për zgjedhjen e kryesuesit dha qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në votim.
Kryetari i VV- së në Podujevë, Bajram Ajeti tha se “Kam menduar që opozita do të jetë e bashkuar mirëpo sa po shihet dhe në bazë të informacioneve ajo nuk është në atë nivel që duhet sepse nuk është aty ku duhet me çka edhe i ka kërkuar votat e qytetarëve kështu që grupi i VV- së nuk do të votojë fare”
Kurse edhe pse këshilltari i PDK Fatmir Rudari dha po ashtu qëndrimin e njëjtë se PDK nuk do të marrë pjesë në votim, mirëpo këshilltarja e posa betuar e tyre nuk pati qëndrimin e njëjtë me ta.
Ajo së bashku me Tringë Sfishtën dhanë votën e tyre pro zgjedhjes së kryesuesit të KK-së Fatmir Gashit.
Me 18 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim Fatmir Gashi edhe pranoi mandatin e tij i cili në një fjalim të shkurtër tha se këtij kuvendi do t’ia garantojmë traditën e mirë dhe se do u shërbej gjithë qytetarëve në bazë të ligjit dhe rregullave tjera të parapara.
Në këtë votim nuk mori pjesë as këshilltari i OBKD- së, Avni Islami./Llapi.info