Llapi ka arritur të fitojë trofeun e Kupës së Kosovës në futboll, duke mposhtur Dukagjinin në finale me penalti, raporton Llapi.info.

Loja e rregullt u mbyll me rezultat të barabartë 0-0, përkundër që llapjanët dominuan përgjatë 90’ minutave lojë. Llapjanët përgjatë këtyre minutave patën disa raste shënimi, por që të njëjtat s’u konkretizuan me gol.

Edhe në vazhdime, ishte klubi nga Podujeva që pati iniciativën. Engjëll Hoti pati mundësi ideale për t’i kaluar llapjanët në epërsi, por goditja e tij ishte jashtë pingules.

Ishin dukagjinasit që kaluan të parët në epërsi në minutën e 113’, me anë të Altin Mërlukut. Krejt në fund të ndeshjes, Elvis Prenqi realizoi për 1-1, për të shkuar në penalti, këto të fundit që i fitoi Llapi.

Me këtë triumf, Llapi ka kaluar në garat evropiane. Ky është trofeu i parë për ekipin nga Podujeva./Llapi.info