Është mbajtur mbledhja inauguruese e Kryesisë së re të Degës së LDK-së në Podujevë, raporton Llapi.info.
Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj dege në Podujevë, Ekrem Hyseni, ku thotë se në këtë takim kanë miratuar organogramin e Degës dhe themeluam gjashtë Departamente Funksionale.
“Në mbledhjen inauguruese të kryesisë së Degës, përgëzova anëtarët e rinj dhe urova për punë e suksese në angazhimet tona të përbashkëta. Po ashtu, në takim miratuam organogramin e Degës dhe themeluam gjashtë Departamente Funksionale. Gjithashtu, biseduam edhe për organizimin e procesit zgjedhor në Forumin e Gruas dhe në Forumin e Rinisë, duke synuar masivizimin dhe hapjen e këtyre strukturave për gra dhe të rinj. Gjithmonë në shërbim të qytetarit llapjanë”, ka shkruar Hyseni.
Në pamjet që ka publikuar i pari i LDK-së në Llap, shihet se në këtë kryesi të re bënë pjesë edhe “krahu i djathtë” i Agim Veliut, Nexhmi Rudari.
Rudari për disa vite ka qenë nënkryetari i Komunës së Podujevës, në kohën kur qeveriste në Podujevë LDK-ja – në krye me Agim Veliun. Rudari kishte marrë “aminin” e Veliut edhe për kandidimin për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e vitit 2020.
Përveç Rudarit, në kryesi të re bëjnë pjesë edhe emra që në kohën e Veliut ishin drejtorë të drejtorive në Podujevë, si; Vezir Januzi (ish-drejtor i Bujqësisë), Durim Salihu (ish-drejtor për Planifikim Urban), Isuf Latifi (ish-drejtor i Financave), Mirsad Kamerolli (ish-drejtor i Zhvillimit Ekonomik). Fatmir Gashi (ish-kryetar i Kuvendit Komunal). Florije Besholli (ish-drejtoreshë e Inspektoratit). Zaim Thaçi (ish-drejtor i Shëndetësisë).
Ndaj kësaj kryesie të re të emëruar nga Ekrem Hyseni kanë reaguar anëtarë të LDK-së në Podujevë. Njëri ndër ta është edhe Fidan Rekaliu, i cili s’e ka pranuar ftesën që t’i bashkohet kësaj kryesie.
“Në këtë mbledhje të mbajtur, ku u zgjodh Kryesia e “Re” e LDK-së, pjesë të së cilës më kanë zgjedh edhe mua, duke më barazuar me ato figura servilësh, grupesh e klanesh, të cilat kanë punuar kundër LDK-së, kanë punuar kundër fitores së LDK-së në Llap, e që këtë më së miri e dinë ish-kandidati për kryetar Ekrem Hyseni”, ka shkruar ai pos tjerash në Facebook./Llapi.info






