Disa fëmijë qëndrojnë ulur afër kutive të drunjta. Janë lustraxhi. Në pranverën e vitit 1916 fëmijëve të Prishtinës së asaj kohe do t’u binte që të lustrojnë edhe çizme ushtarake.

Janë disa pjesëtarë të Perandorisë Austro-Hungareze që kishin zgjedhur të lëvizin nëpër Prishtinë me këpucë të pastra. Kjo pamje e para 102 vjetëve shpërfaqet nëpërmjet një fotografie të Arkivit Shtetëror të Austrisë.

Studiuesi e gazetari Armand Plaka ka disa vite që është vënë në kërkim të fotografive, skicave, ilustrimeve e raporteve që dëshmojnë për Luftën e Parë Botërore në trevat shqiptare. Hulumtimet e bëra qysh nga viti 2001 i ka përmbledhur në një ekspozitë që është hapur të premten e kaluar në kompleksin “Stela” për t’u bartur të enjten në Muzeun Kombëtar Historik.

E ka titulluar “Lufta e Madhe dhe shqiptarët – Mësime për të mos u harruar” dhe vjen pikërisht në 100-vjetorin e përfundimit të Luftës. Janë 100 fiks bardhezi e materiale të tjera që dëshmojnë për shqiptarët gjatë viteve 1914-1918. Edhe numrin e fotove për ekspozim e ka caktuar pikërisht me një qëllim. “Janë 100 çka përkon me 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë”, është shpjegimi që jep ai.