Pasi i dha fund serisë prej katër humbjeve rresht në pranverë, Llapi synon të bëjë hapin e radhës për t’u kthyer në garën për titull të kampionit në Vala Superligën e Kosovës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.
Në mesjavë, në kuadër të xhiros së 23-të, përkatësisht të parës për fazën e tretë të garave, Llapi e mposhti Vllazninë e Pozheranit me rezultatin 2:0.
Të shtunën (sot) e pret kampionen në fuqi, Trepçën ’89, në derbin e javës së 24-t. Ndeshja luhet në “Zahir Pajaziti”, në Podujevë dhe nis në orën 14:00.
Të dy skuadrave u ka ikur paksa hapi në garën për titull. Llapi është i pesti me 37 pikë, gjashtë më pak se Prishtina. Llapjanët ishin të parët pas stinorit vjeshtor, por gabuan rresht në pjesën e dytë të kampionatit. Trepça ’89 është e shtata me 35 pikë.