Llapi synon ta vazhdojë startin perfekt të këtij edicioni në Vala Superligën e Kosovës. Skuadra nga Podujeva kërkon edhe fitoren e tretë në po aq xhiro, kësaj here në derbi kundër Gjilanit.

Kjo ndeshje luhet të premten (sot) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë (16:30) dhe hap xhiron e tretë. Mesfushori i Llapit, Mentor Zhdrella, ka respekt të madh për Gjilanin, por pret fitore. Llapi është ekipi i vetëm që pas dy ndeshjeve ka tubuar pikë maksimale dhe i prin klasifikimit me gjashtë pikë, dy më shumë se Gjilani që zë vendin e dytë në tabelë, shkruan sot Koha Ditore.

“Është një ndeshje e vështirë dhe realisht derbi, në të cilin do të japim gjithçka për fitore, pasi duam të vazhdojmë me ritmin që e kemi nisur kampionatin. Është me rëndësi që të arrijmë edhe fitoren e tretë dhe pres t’ia dalim”, është shprehur Zhdrella.

“Në anën tjetër, Gjilani ka ekip të fortë dhe të komponuar mirë. Nuk do të jetë lehtë për ne, por luajmë në shtëpi dhe pres që me përkrahjen e tifozëve të arrijmë synimin që e kemi”.

Përderisa Llapi pritet të jetë i kompletuar për këtë ndeshje, Gjilanit do t’i mungojnë të paktën dy futbollistë – kapiteni Zgjim Mustafa për shkak të lëndimit dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaçi, që nuk është i gatshëm për lojë.