Skuadra e Llapit ka mposhtur Drenicën sot në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti” me rezultat minimal 1-0 raporton Llapi.info.

Në një përballje në të cilën munguan tifozët për shkak të dënimit që FFK kishte shqiptuar ndaj klubit bardh e kaltër nga Podujeva, ndeshja u zhvillua me dyer të mbyllura.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, disa tifozë të Llapit nuk i pengoi një dënim i tillë. Ata skuadrën e tyre të zemrës, teksa fitonte po e shikonin nga trasat e shtëpive të tyre përskaj stadiumit të qytetit.

Të dy skuadrat gjatë gjithë ndeshjes zhvilluan një përballje të qetë me pak raste shënimi.

Pjesa e parë në mes Llapit dhe Drenicës u mbyll pa gola.

Me të filluar pjesa e dytë Llapi kaloi në epërsi falë një gabimi të futbollistit të Drenicës.

Në minutën e 49- të Lushtaku teka tentoi për ta larguar një top nga zona e rrezikshme shënoi në portën e klubit të tij për t’i dhënë epërsi klubit vendas.

Me këtë fitore Llapi rikthen pozitën e tretë pasi Liria e Prizrenit u mposht nga Trepça ’89 me rezultat 0-2.

Llapi tani numëron 48 pikë një më shumë se Liria dhe Trepça’89 të cilat mbajnë pozitat 4 respektivisht 5./Llapi.info