Llapi dhe Prishtina kanë barazuar 1-1 në derbin e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.
Nikoqirët e nisën mirë ndeshjen, derisa rrezikuan portën e prishtinasve në minutat e parë të takimit, por pa sukses. Ndërkaq, Mentor Zhdrella dridhi traversën e kundërshtarëve në minutën e 20’.
Në mundësinë e parë, kryeqytetasit e konkretizuan me gol me anë të Ahmed Januzit, kur po zhvillohej minuta e 28’.
Me rezultat 0-1 në të mirë të mysafirëve përfundoi pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.
Llapjanët e barazuan rezultatin në minutën e 52’, kur nga gjuajtja e lirë realizoi supergol Mentor Zhdrella.
Minutat në vazhdim ishin dramatik në stadiumin e Podujevës, por që të dyja ekipet rastet s’i konkretizuan me gol.
Me këtë barazim, Llapi numëron 38 pikë dhe radhitet në pozitën e gjashtë, kurse Prishtina renditet e dyta me 51 pikë të tubuara.
Në xhiron e radhës, Llapi do të ketë punë me Gjilanin, ndërkohë që Prishtina pret Feronikelin. /Llapi.info