Klubi nga Podujeva ka prezantuar sot në radhët e veta edhe dy përforcime, derisa njëri vije nga Tetova dhe tjetri nga Elbasani, shkruan Llapi.info.

Prezantimi i Ardit Demirit dhe Jurgen Peqinit është bërë sot në ambientit e klubit llapjan, ndërkohë që të dytë kanë nënshkruar kontratë 3-vjeçare me ekipin nga “Zahir Pajaziti”.

“Skuadra e Llapit ka afruar në radhët e saj sulmuesin e qendrës nga Elbasani, Jurgen Peqini. 22 vjeçari që së fundmi ishte pjesë e Besës së Kavajës ka firmosur kontratë 3 vjeçare dhe është bashkuar në përgatitjet e skuadrës për ndeshjet ndërkombëtare. Jurgen Peqini, 22 vjeç, i lindur në Elbasan më 24.08.1998, i gjatë 1.88 m është sulmues qendre. Ai së fundmi ishte pjesë e Besës së Kavajës. Karrierën e ka nisur tek skuadra e vendlindjes, Elbasani, për të kaluar më pas tek Teuta. Karrierë ka bërë edhe tek Turbina”, ka njoftuar klubi.

“Ardit Demiri është përforcimi më i ri i skuadrës së Llapit. Mesfushori me tipare defanzive i bashkohet skuadrës në përgatitjet për garat evropiane si dhe ka nënshkruar kontratë 3 vjeçare me klubin. Ardit Demiri, 20 vjeç, i lindur më 22.01.2001 në Tetovë, i gjatë 1.76 cm. Ish reprezentues i Maqedonisë në grupmoshat U-16 dhe U-19. Karrierën e ka filluar tek skuadra e madhe shqiptare, Shkëndija e Tetovës, ndërsa ishte pjesë edhe e Renovës dhe së fundmi Dritës së Tetovës”, thuhet tutje.

Duhet theksuar se krahas prurjeve të reja, Llapi ka ndërprerë marrëveshjet edhe me disa lojtarë, gjersa pas katër vitesh është larguar edhe tashmë ish-kapiteni i skuadrës, Mentor Zhdrella./Llapi.info