E pafat ishte fusha e stadiumit “Riza Lushta” në Mitrovicë për Llapin, shkruan sot Koha Ditore.

Verën e vitit të kaluar Llapi u mposht në finale të Kupës së Kosovës nga Besa në këtë stadium dhe humbi të drejtën e pjesëmarrjes në kualifikimet e Ligës së Evropës. Por Llapi shpreson të jetë ndryshe të mërkurën (sot, 12:30), kur do të jetë mysafir i Trepçës ’89 në “Riza Lushta”.

Ndeshja Trepça ’89 – Llapi i takon rrethit të katërt të Kupës së Kosovës në futboll. Fituesi i ndeshjes do të kalojë në çerekfinale, pasi as në këtë fazë nuk ka ndeshje të kthimit.