Xhiroja e 24-të e Superligës së Kosovës në futboll takon sot Llapin dhe Drenicën, njofton Llapi.info.

Ndeshja nis me fillim nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”.

Bardh e kaltrit nga Podujeva hynë në këtë ndeshje me synimin e arkëtimit të pikëve të plota, në mënyrë që të vazhdojë tutje ëndrrën për në garat evropiane, gjersa me të njëjtin synim kanë edhe kuq e zinjtë e Drenicës.

Kjo është ndeshja e tretë që dy skuadrat përballen mes vete këtë edicion, teksa të dyja kanë shënuar nga një fitore si vendas.

Djelmoshat të udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e tretë, duke e mposhtur bindshëm 4-1 Dukagjinin, ndërkohë që Drenica barazoi në Suharekë me Ballkanin.

Pas 23 javëve, Llapi radhitet në pozitën e gjashtë me 37 pikë të tubuara, gjashtë sosh më shumë se Drenica që gjendet një pozitë më poshtë se llapjanët.

Takimi i sotëm në Podujevë do të drejtohet nga gjyqtari Besfort Kasumi, i asistuar nga Meriton Berisha dhe Selami Haziri.

Për shkak të masave kundër COVID-19, ndeshja do të luhet pa praninë e tifozëve./Llapi.info