Lokale - eSIMy

Llapi ka shënuar fitore në kuadër të xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës, duke mposhtur në shtëpi Besën e Pejës me rezultat 2-0, raporton Llapi.info.

Ekipi nga Podujeva nisi mjaft mirë ndeshjen duke realizuar dy gola brenda 10 minutave. Fillimisht Valmir Veliu shënoi në minutën 3’ për 1-0, e shtatë minuta më vonë  Engjëll Hoti u përkujdes për rezultatin 2-0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në stadiumin e qytetit të Podujevës, Zahir Pajaziti.

Edhe në pjesën e dytë të dyja skuadrat patën disa raste shënimi, por rezultat i pjesës së parë ishte epilogu i kësaj ndeshjeje.

Përkundër kësaj fitoreje, ekipi i Tahir Batatinës vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me 14 pikë të tubuara, tetë më shumë se Besa që radhitet një pozitë më poshtë se llapjanët.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Arbërisë, ndërkohë që Besa udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin./Llapi.info