Ekipi nga “Zahir Pajaziti”, KF Llapi ka realizuar fitore në udhëtim te Prishtina me rezultat 2-3, në kuadër të ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, raporton Llapi.info.
Pjesa e parë u takoi krejtësisht djelmoshave llapjanë, të cilët rrezikuan disa herë portën kundërshtare. Ishte minuta e 6’ e takimit, kur Ahmed Januzi realizoi për 0-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë në “Fadil Vokrri”.
Edhe në pjesën e dytë spikatën llapjanët. Në minutën e 57’, Ahmed Januzi ngriti shifrat në 0-2, ndërkohë që pesë minuta më vonë, Kushtrim Shabani realizoi për 0-3 në të mirë të Llapit.
Kryeqytetasit ngushtuan epërsinë në 1-3 në minutën e 66’ me anë të Albin Prapashticën, ndërkohë që krejt në fund, Mërgim Pefqeli realizoi për rezultatin përfundimtar 2-3.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet më 21 prill në stadiumin e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti”, ku edhe do të mësohet zyrtarisht finalisti i Kupës së Kosovës, për t’u ndeshur më pastaj në finale me fituesin e takimit Dukagjini – Istogu./Llapi.info