Llapi ka arritur të shënojë fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim te Liria e Prizrenit, njofton Llapi.info

Pjesa e parë e ndeshjes solli mjaft raste shënimi, derisa nikoqirët rrezikuan qysh në minutën e 14- të me anë të Liridon Fetahaj, por goditjen e tij e ndali portieri i Llapit Englantin Haxho. Llapi ka mundur të kalojë në epërsi në minutën e 19, por Miran Maksuti dështoi të shënoi nga afërsia.

Ndërsa, klubi nga Podujeva golin e parë e gjeti në minutën e 36’ me anë të sulmuesit Ahmed Januzi. Llapjanët në 45 minutëshin e parë rrezikuan edhe me Mentor Zhdrellen dhe Festim Alidemën, por pa sukses. Pjesa e parë përfundoi 1-0.

Me të nisur pjesa e dytë, Llapi rrezikoi disa herë portën e prizrenasve. Ndërsa në minutën e 77-të Ahmed Januzi realizoi golin e dytë personal. Llapi nuk u ndal me kaq, teksa realizuan edhe dy gola me anë Remzifaik Selmani në minutën e 80’ dhe Hamdi Namani 84’.

Me këtë fitore, Llapi arrin në kuotën e 51 pikëve dhe kalon në pozitën e dytë me katër pikë më pak se Feronikeli dhe një më shumë se Prishtina, ndërsa Liria pas kësaj humbje radhitet në pozitën e parafundit me vetëm 24 pikë./Llapi.info