Llapi ka arritur të kalojë në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll, pasi sot ka eliminuar në “Zahir Pajaziti” Prishtinën. Ndeshja e sotme u mbyll 2-2, e me rezultat të përgjithshëm 5-4, raporton Llapi.info.
Ekipi nga kryeqyteti e nisi mirë ndeshjen duke shënuar gol qysh në minutën e 6’ të takimit me anë të Enis Gavazaj, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Epërsia e mysafirëve zgjati vetëm 10 minuta, pasi llapjanët barazuan me anë të Ahmed Januzit. Me rezultat 1-1 u mbyll pjesa e parë në Podujevë.
Prishtinasit ngritën shifrat në 1-2 kur po zhvillohej minuta e 64’ me anë të Mërgim Pefqelit, ndërkohë që krejt në fund, Muhamet Hyseni realizoi për epilogun përfundimtar 2-2.
Llapi pas këtij triumfi kalon në finale të Kupës së Kosovës, kurse Prishtina eliminohet nga kjo garë. Llapi në finale takohet me Dukagjinin./Llapi.info






