Ekipi nga Podujeva, KF Llapi, ka arritur të sigurojë biletën për finalen e madhe të Kupës së Kosovës, duke eliminuar Prishtinën në gjysmëfinale, raporton Llapi.info.
Ndeshja kthyese u mbyll me rezultat 2-2 (5-4 në rezultat të përgjithshëm). Golat për kryeqytetasit i shënuan Enis Gavazaj dhe Mërgim Pefqeli, kurse për tashmë finalistët i realizuan Ahmed Januzi dhe Muhamet Hyseni.
Pas këtij triumfi të madh, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, duke e vlerësuar Prishtinën si kundërshtar të fortë, ka deklaruar se shpreson ta sjellë Kupën e Kosovës në “Zahir Pajaziti”.
“E kemi ditur që nuk do të jetë i lehtë kualifikimi, është ardhur falë punës angazhimit të lojtarëve, mbi të gjitha kemi mposhtë Ballkanin, Trepçën 89′, Prishtinën dhe jemi me meritë në finale, pasi kemi mposhtur skuadra të mëdha. E kemi ditë që do ta kemi vështirë ndaj Prishtinës. Sot na kanë vu në vështirësi sidomos në pjesën e dytë, me rëndësi për ne ka qenë të kualifikohemi, sot ka ndikuar pak edhe pjesa e agjërimit – pasi lojtarët nuk mund ta japin maksimumin shkaku i agjërimit, i urojë gjithë qytetarëve këtë kualifikim, dashtë Zoti që në këtë stadium ta sjellim trofeun e parë. Prishtina është një skuadër shumë solide, që mund të dënojë në momente të caktuar. Kësaj here nëse bëjmë më të mirën, shpresojë që finalja të jetë pas Ramazanit dhe të fitojmë dhe të shkojmë në garat evropiane, atë që e kam kërkuar për vite”, tha Batatina për ‘Art Sport’.
Në finale, Llapi do ta ketë kundërshtar skuadrën nga Liga e Parë, Dukagjinin e Klinës. /Llapi.info