Të enjten në Bukuresht në panairin vjeshtor të Rumanisë, u bë promovimi i librit “Dita 24” të autorit Fehmi Ajvazi, publicist dhe shkrimtar.

Libri në fjalë, është përkthyer në gjuhën rumune nga Marius Dobresku, njohës i denjë i kulturës dhe letërsisë shqiptare.

I botuar në Prishtinë më 2012, vepra është botuar nga njëra prej shtëpive më të mëdha rumune, “Corint Books”.

Vepra e Ajvazit “Dita 24 – Kronikë për Kosovën”, është një nga librat e rrallë të shkruar dhe të botuar lidhur me luftën në Kosovë, në fakt lidhur me periudhën e bombardimeve të NATO-s (24 mars 1999 – 12 qershor 1999), e njohur edhe si periudha e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova nga regjimi gjakatarë serbë i Milosheviqit.

Nëse i referohemi përmbajtjes, ky libër është i rrallë për nga qasja, trajtimi, struktura e shkrimit etj., sepse, pasqyron një rrëfim të gjatë autentik në formë të përshkrimit të gjendjes, të ndjeshmërisë psikologjike, të realitetit tragjik që aso kohe ishte krijuar në Kosovë. Vendi ishte totalisht i izoluar dhe popullsia shqiptare, krejtësisht ishte e mbetur në mëshirën e forcave të llojllojshme paramilitare dhe militare serbe.

Me premisa të këtilla, është vlerësuar libri i Ajvazit në promovimin e organizuar nga botuesi “Corint Books” dhe ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rumani në kontekst të panairit vjeshtor rumun të librit.

Në promovim, ka marrë pjesë Marius Dobrescu, përkthyes, profesoresha Daniela Busha, Arlinda Morava, këshilltare për Kulturë në ambasadën e Shqipërisë, pastaj doktori Kostin Kristesku dhe Mihaela Citash.

“Është e dukshme struktura e librit në formë rrëfimi e ditari, e që na e zbërthen një periudhë të vështirë nëpër të cilën kaloi populli i Kosovës. Kur lexohet, ne kemi një fotografi të gjallë të asaj që është luftë, dëbim, rrëmujë etj. Unë gjithmonë isha i impresionuar nga drama e jetuar nga vëllezërit e mitë Kosovës që u dëbuan përmes dhimbjes së tmerrshme në vitin 1999, dhe jo vetëm, thotë autori i Kosovës, Fehmi Ajvazi. Si gazetar dhe shkrimtar, ai e ka treguar historinë dramatike që e jetoi vetë, bashkë me njerëzit e tjerë. Dhe ne, nuk teprojmë aspak ta kujtojmë eksodin e pothuajse një milion shqiptarëve që u detyruan të jenë refugjatë, dhe as ta krahasojmë këtë dramë të Kosovës me eksodet e ndryshme që ndodhin në ditët e sotme”, ka thënë ndër të tjera Marius Dobrsku.