Lokale - eSIMy

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë dje mbajti takim me kryetarët e nëndegëve, me ç’rast u bisedua për aktualitetin politik në vend dhe obligimet e detyrat konkrete për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 11 qershor.

Në takim me kryetarët e nëndegëve, kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, i informoi ata për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për hapat që do të ndërmerren në mobilizimin e të gjitha strukturave partiake për zgjedhjet e parakohshme nacionale, që mbahen më 11 qershor.

Në takim u tha se në kuadër të mobilizimit për procesin zgjedhor dega e LDK-së në Podujevë ka themeluar shtabin zgjedhor dhe trupat përcjellëse, të cilat do të përkujdesen për hartimin e agjendës së punëve për organizimin e fushatës elektorale.

Gjithashtu u tha se nëndegët do të kenë rol me rëndësi në propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për listën e deputetëve të LDLK-së, kurse u kërkua që të propozuarit e degës të jenë konsistent ndaj vendimeve të partisë.