Në prag të fundvitit 2017 Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë ka arritur marrëveshje me Partinë e Drejtësisë në këtë komunë, njofton Llapi.info.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, njëherësh edhe kryetar komune, Agim Veliu përmes rrjetit social Facebook ku ka shkruar se me këtë marrëveshje kemi harmonizuar qëndrimet tona në interes të qytetarëve.

“Me Kryetarin, njëherësh asambleistin e Partisë së Drejtësisë, Esat Ejupin arritëm marrëveshje për harmonizimin e qendrimeve tona për veprim të koordinuar në interes të qytetarëve në Kuvendin e Komunës së Podujevës, gjatë këtij mandati 4-vjeçar”, ka shkruar Veliu.

Kujtojmë se ditë më parë përafrim qëndrimesh të kësaj partie (LDK) kishte pasur edhe me asamblistët e AAK- së dhe të Ballit Kombëtarë.

‘Ende pa marrëveshje por të bashkuar’, ishte mbishkrimi i një fotografie të shpërndarë në Facebook në të cilën shihet ish- drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muciqi dhe asamblistët e dy partive, AAK- së dhe BK./Llapi.info