Lokale - eSIMy

Terminali doganor në Merdar, pikë kufitare kjo që gjendet në Podujevë, nuk do të jetë funksional nga 18 qershori, shkruan Llapi.info.

Kështu ka vendosur Dogana e Kosovës. Në njoftimin e lëshuar nga kjo doganë, thuhet se personeli zyrtar do të tërhiqet nga kjo pikë nga dita e shtunë.

“Siç jeni në dijeni se për shkak se kushtet që kanë mundësuar vendosjen e zyrës doganore në terminalin e operuar nga “Diana” SHPK., në Merdar pushojnë nga data 18.062022, Dogana e Kosovës detyrohet të pushoj veprimtarinë si zyre doganore në këto hapësira dhe me këtë tërheq stafin si dhe ndal operimin zyrtar”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka pritur në takim shoqatën e shpediterëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Pas vendimit nga ana e Doganës së Kosovës për mbylljen e terminalit doganor në Merdarë, kam pritur në takim shoqatën e shpediterëve vendorë dhe ndërkombëtar, të cilët kanë vepruar në këtë pikë doganore.  Ata ishin të shqetësuar nga ky vendim dhe shprehën mospajtimet e tyre me këtë vendim, ndërsa atyre ju sigurova që kërkesat e tyre do t’i adresoj në instancat e nivelit qendror”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Vendimin për bllokimin e këtij terminali doganor e kanë dënuar fuqishëm edhe shoqëri civile./Llapi.info