Nga Gjermania u kthye për të luftuar në Podujevë. Në Brigadën 151 “Zahir Pajaziti”, Batalioni i parë ka qenë i udhëhequr nga Ajet Potera. Tani luftën e tij paqësore për shtetndërtim ka vendosur ta bëjë në Kuvendin e Kosovës luftëtari Ajet Potera me numër 32 nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Potera u lind në Podujevë në më 9 korrik 1972.
Si aktivist i ri, ai ka qenë pjesë e shumë organizimeve politike në radhët e LPK-së. Në vitin 1998 është kthyer në Kosovë nga Gjermania, me motivin e vetëm për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Ai është invalid i luftës i plagosur me 24 prill 1998 në Baballoq të Deçanit.
Pas përfundimit të luftës ka shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Me shndërrimin e saj në Forcat e Sigurisë së Kosovës, Ajet Potera ka shërbyer si udhëheqës i Departamentit të Komunikimit gjatë viteve 2009-2011 dhe si udhëheqës i Departamentit të Financave gjatë periudhës 2011-2016.
Ai ka mbaruar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Prishtinës, kurse studimet e nivelit Master i ka mbaruar në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Mojsiu” në vitin 2012 në Tiranë. Së fundmi, në vitin 2015 ka mbaruar Shkollimin Ndërkombëtar për Shtab të Përgjithshëm dhe Siguri Evropiane, në Akademinë Ushtarake Gjermane në Hamburg dhe në Bruksel.




