Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu dhe drejtorët e drejtorive, transmeton Llapi.info.
Fillimisht anëtari i kuvendit nga radhët e LDK-së, Naim Çunaku, propozoi shtimin e dy pikave (Transmetimi i drejtpërdrejt me video incizim të seancave të Kuvendit dhe Formimi i një Komisioni ad-hoc për monitorimin e ndarjes së bursave dhe subvencioneve në vitin 2022), të cilat kishte propozuar të njëjtat edhe në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa por në mungesë të votave nuk ishin përfshirë në rend dite. Çunaku kërkoi para anëtarëve të kuvendit meqenëse sot është përbërja më e madhe të përkrahen këto pika për përfshirje ne rend dite, mirëpo edhe pas diskutimit të bërë, këto propozime nuk morën votat e mjaftushme për përfshirje në rend dite.
Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2023-2025, e prezantoi drejtori i drejtorisë së Planfikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu i cili u bëri thirrje për përkrahje asamblistëve si një ndër dokumentet më të rëndësishme për zhvillimin e Komunës së Podujevës, ku pas diskutimeve të anëtarëve të të gjitha partive politike, me 19 vota pro u miratua Strategjia e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2023-2025.
Propozim vendimi për subvencionimin e shpenzimeve për shërbimet e varrimit të qytetarëve me vendbanim të përhershëm në territorin e Komunës së Podujevës, e prezantoi drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, i cili elaboroi pikat specifike dhe sfiduese së bashku me asamblistë, ku anëtari i kuvendit Naim Cunaku, propozoi që krahas subvencionimit të shpenzimeve për shërbimet e varrimit të shtohet edhe shërbimi i hapjes së varrit, propozim i cili u mirëpritë nga gjithë përbërja e kuvendit, dhe ku drejtori Selimi u zotua që do të trajtojë këtë çështje me Këshillin e Bashkësisë Islame në Podujevë në mënyrë që të shtojnë edhe këtë shërbim sipas mundësive buxhetore. Propozim vendimi për subvencionimin e shpenzimeve për shërbimet e varrimit të qytetarëve me vendbanim të përhershëm në territorin e Komunës së Podujevës u miratua njëzëri.
Propozim vendimin për miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2023, e prezantoi drejtoresha e Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë, Saranda Stublla, ku theksoi që sipas nenit 1 të vendimit, për secilën pronë, përmban, arsyetimin e interesit dhe zhvillimit ekonomik të Komunës, të dhënat kadastrale, qëllimin e dhënies në shfrytëzim, destinimin e pronës, parashikimin e kohës së publikimit të njoftimit dhe periudhën kohore për dhënien në shfrytëzim të pronës përkatëse të palujtshme të Komunës. Pas debatit dhe pyetjeve nga anëtarët e kuvendit u miratua kjo pikë e rendit të ditës.
Ndërsa, rishqyrtimi i Rregullores për taksa tarifa dhe gjoba Komunal që ishte miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit, vlerësuar nga një numër i Ministrive të linjave përkatëse si jo në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse në fuqi, u prezantua nga drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi i cili kërkoi anulimin e të njëjtes me rekomandim që nga ekzekutivi i Komunës të fillohet me përgatitjen e draftit të ri sipas vlerësimeve të Ministrive dhe konsultimeve paraprake.
Rishqyrtimi i Vendimit për koordinimin e procesit dhe zgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane në territorin Komunës së Podujevës, i miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, vlerësuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, jo në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi, u ndryshua dhe u plotësua me përfshirjen e ri të anëtarit nga radhët e LDK-së, Ekrem Rrahmani, e ku më përkrahje dhe vota të mjaftushme u miratua.
Gjatë pikës “Të ndryshme” anëtarët e kuvendit komunal drejtuan pyetje të ndryshme për anëtarët e ekzekutivit ku edhe morën pëgjigjet për çështjet të cilat shprehën interesim./Llapi.info






