Deputetja Mimoza Kusari – Lila në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se LDK-ja është kthyer në komoditetin e vjetër, aty ku sipas saj ndahet hisja e shtetit si të ishte pronë private, e ku nuk ka parime.
“E shoh si rikthim të LDK-së, në këtë rast të Mustafës dhe të tjerëve në komoditetin e tyre ku ndahet hisja e shtetit si të ishte pronë private, dhe shumë lehtë merren vesh nëse nuk diskutohen parimet. Përderisa kontradikta e thellë është ajo se çfarë deklaronin përgjatë bisedimeve me Vetëvendosjen. Prej letërkëmbimit të parë, dhjetë ditë iu deshën, dhe deklarata të ndryshme pozitive dhe asnjë kusht”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj të dyja partitë kanë shkelur mbi vullnetin e qytetarëve të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Ky nuk është vullnet i 6 tetorit, kjo është e kundërta. Sikur të ishim me këtë vullnet do të prisnim që bëhen kushtet për të shkuar në zgjedhje. Kjo është dhunim i vullnetit të elektoratit të 6 tetorit. Të dy partitë kanë shkelë mbi atë se me çka kanë fituar votat me 6 tetor”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se AAK-ja madje nuk e përmend fare taksën, derisa e quan këtë koalicionin Thaçi – Mustafa.
“LDK-ja kishte bërë premtime se s’do të kishte marrëveshje me PAN-in. Tek AAK-ja, Haradinaj ishte aq këmbëngulës për taksën sa i kushtoi me postën e kryeministrit. As edhe një fjali e vetme nuk është për taksën. Është shkelur mbi çdo gjë mbi atë se për çfarë kanë marrë votat. Shumë lehtë mund të themi se ky është koalicioni Thaçi-Mustafa, të tjerët janë përcjellës. Këta përnjëherë duan që të kthehen në të kaluarën”, ka thënë Kusari – Lila.
Sipas saj tani ka dalur në pah plani i LDK-së.
“Sikur të mos ishte ky plani që tashmë doli i LDK-së që të kthehej me një qeverisje në një shtet të kapur. Ku është çështja e presidentit, posti për ministrin e Brendshëm, i gjithë ai insistim për të mbajtur poste të tilla, duket se i kanë shërbyer këtij plani. Të diskutosh 5 muaj dhe të nxjerrësh kushte për pozita të caktuara. Krejt kjo duket se ishte në frymën e një skenari, për t’u kthyer për t’i shërbyer presidentit Thaçi”, ka thënë ajo.
Sipas saj LDK-ja dhe AAK-ja janë bashkuar për shkak të interesave të tyre të ngushta.