Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i presidentit Hashim Thaçi, që t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend, tregon se ai po mundohet “të kapë trenin e fundit”.
Megjithatë, sipas Kurtit, “s’ka më trena për presidentin”.
“Më datën 6 tetor ka ndodhur ndryshimi i madh. Ka dalë zogu nga lëvozhga, nuk kthehet më brenda. Presidentit i kanë mbetur edhe disa muaj mandat, dhe po dëshiron ta kapë trenin e fundit. Por i ka ikur edhe treni i fundit. S’ka më trena për presidentin. Këto përpjekje, këto orvatje antikushtetuese, vetëm sa e rrezikojnë rendin republikan e shtetin demokratik të Kosovës, por s’mund ta shtypin vullnetin e popullit e të na kthejnë para 6 tetorit. Më 25 mars u munduan të na kthejnë para 3 shkurtit, por nuk mund të ketë datë tjetër kur konjuktura e regjimit të vjetër bëhet bashkë si klub i stërvjetruar për të na kthyer para 6 tetorit. Është e pamundur”, ka thënë ai në konferencën për media.
Kurti ka thënë se për qeveri të re duhet të mbahen zgjedhje të reja, pas pandemisë.
Sipas tij, çdo vendim tjetër është “devijim i vullnetit të qytetarëve e tejkalim i kompetencave nga presidenti”.
“Do ta ndjekim me kujdes se çfarë do të ndodhë ditët e ardhshme e padyshim se do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese posa të kalohet nga fjalët në tekste të shkruara”, ka thënë Kurti.