Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për gazetën italiane, La Repubblica, ka folur për tensionet e 31 korrikut në veri, në lidhje me dy vendimet e Qeverisë.

Bllokimi i rrugëve atë ditë, sipas Kurtit s’ka qenë spontanisht por i organizuar nga Beogradi me ndihmën e Rusisë.

Ai e ritheksoi se serbët kanë dy muaj kohë t’i ndërrojnë targat e Millosheviqit.

“Konvertimi i targave të futura nga Millosheviqi është vendim i qeverisë sime. Ata kanë dy muaj. E njëjta gjë vlen edhe për dokumentet: të dielën, për ato pak orë që ka qenë në fuqi, në pikat kufitare që kanë mbetur të hapura kanë dhanë 2679 dokumente pa incidente. Prandaj u desh të thërrisnin dikë për barrikada: protesta nuk u ngrit spontanisht nga poshtë, ajo u organizua nga Beogradi dhe u mbështet nga Rusia”, tha Kurti.

Kryeministri po ashtu ka thënë se rreziku për një konflikt në Kosovë ekziston pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.