Kryeministri Albin Kurti ka rrëfyer për përpjekjet e tij për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë në dialog, bisedimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, në një bisedë për gazetën amerikane The Washington Post.

Shefi i qeverisë ka diskutuar për të gjitha këto çështje, madje ka ndarë edhe detaje nga një bisedë e tij me Vuçiqin, në një bisedë me Jason Rezaian, një publicist të The Washington Post.

Deklarimet e Kurtit janë përfshirë në një editorial të publikuar nga Rezaian në të përditshmen e famshme amerikane.

“Demokracia më e re e Evropës është një front i ri në betejën e ideve SHBA-Rusi”, titullohet editoriali i publikuar nga Rezaian, një publicist, ish-korrespodent i The Washington Post për disa vjet në Teheran të Republikës Islamike të Iranit.

Rezaian, në editorialin e tij, shkruan se në qendër të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë “është mosgatishmëria e vazhdueshme e Serbisë për të njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.

“Nuk mund ta njoh Serbinë derisa ajo nuk më njeh mua. Pra duhet njohje reciproke dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë dialog”, shpjegoi Kurti në një bisedë për The Washington Post.

Kurti tha se një deklaratë e paqes, e propozuar nga Kosova në vitin 2021, ishte refuzuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, njëjtë siç ishte refuzuar edhe një plan për të mbrojtur reciprokisht të drejtat e pakicave brenda kufijve të njëri-tjetrit.

“Presidenti Vuçiq tha se, ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet”, shpjegoi Kurti. Ai shtoi, disi në mënyrë sarkastike: “Unë thashë, ‘Atëherë le të shohim se si i trajton Serbia minoritetet dhe unë do ta përsëris modelin e njëjtë në Kosovë.’ Dhe pastaj ai u zemërua shumë sepse thashë, ‘Ta bëjmë këtë gjë në mënyrë reciproke”.

Në editorialin e tij, publicisti i The Washington Post shkruan se mbështetja e Kremlinit për Serbinë është një nxitje e fuqishme për Vuçiqin që të ruajë status-quon.

Ndërkaq, tutje editoriali citon Kurtin të deklarohet për ndërhyrjet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

“Presidenti Putin dëshiron ta kthejë Kosovën në një shtet të dështuar. Pas [asaj që Putin i konsideron] dështime në Afganistan dhe Irak si shprehje të ndërhyrjeve të SHBA-së dhe NATO-s, ka mbetur vetëm Kosova”, tha Kurti. “Ai dëshiron ta paraqes Kosovën një sukses të përkohshëm. Pra, mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme.”

Për herë të parë, kryeministriti i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi u takuan me 15 qershor të viti 2021 në Bruksel në kuadër të dialogut, takim ky që përfundoi pa u marrë vesh për temat.

Dy liderët u takuan edhe më 4 maj të këtij viti në Berlin të Gjermanisë, në një darkë pune të organizuar nga Miroslav Lajçak, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.