Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në 20 vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri ka thënë se ende nuk ka drejtësi për viktimat dhe nuk ka dënim për kriminelët, transmeton Telegrafi.
I pari i VV-së, në shkrimin e bërë në Facebook ka theksuar se nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë.
“Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minutë dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç”, shkruan Kurti në Facebook.
Shkrimi i plotë i Albin Kurtit:
Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minutë dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç.
Operacioni i madh “Patkoi” me të cilin Kosova po spastrohej nga shqiptarët, përbëhej nga shumë ‘patkojë’ të vegjël, e një i tillë ishte edhe ky në Vushtrri. Fshatrat viheshin nën rrethim, njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ua merrnin gjësendet me vlerë, sidomos paratë e kursimeve dhe arin e nuseve, dhe i drejtonin për Shqipëri, për t’ua prerë rrugën pas pak eskadronet policore dhe militare që i pushkatonin këta refugjatë.
20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit.
Sigurisht që nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë. Që plagët e të mbijetuarve të shërohen, që brezit të ardhshëm të mos i bartet trauma, që ardhmëria të jetë e sigurt për të gjithë.