Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë që përkundër situatës së krijuar pas pandemisë, nuk mungojnë idetë e të rinjve në Kosovë të cilët me idetë e tyre po shndërrojnë “shqetësimin në shpresë”.

Kurti përmes një postimi në Facebook , ka përmendur disa nga këto iniciativa që kanë nisur në kohën e karantinimit, ku shumica prej tyre janë të mbështetura nga institucionet, ambasadat dhe organizatat në vend.

Lexoni më poshtë disa nga to:

– Platformat për COVID-19 si kosova.health, rrinshpi.com, virusi.info, corona-ks.info, dhe stopcovid.live që çdo ditë informojnë qytetarët me të dhëna të sakta dhe udhëzime të ekspertëve.

– Platforma www.kerkondihme.com që po ndihmon familjet në nevojë duke bërë lidhjen midis donatorëve dhe nevojtarëve në vend.

– Grupet si BONEVET, FaceShieldMask, American Corner Prizren, dhe Graçanica Innovation Centre që po ju dhurojnë institucioneve të shëndetësisë qindra maska të prodhuara me teknologjinë e printimit 3D.

– Kompania ‘start-up’ FORMON që ka zhvilluar dhe po teston ventilatorët 3D për pacientët me COVID-19.

– Aktivistët e YMCA in Kosovo që po shpërndajnë batanije, laptopë, dhe rroba tek strehimoret e viktimave të dhunës.

– Qindra vullnetarë nga Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të angazhuar në qendra të ndryshme shëndetësore të vendit tonë.

– Platforma disponimi.com që po mat disponimin e qytetarëve në baza ditore në periudhën e karantinimit.

– Anëtarët e grupit të Facebook-ut ‘Vullnetaret / Volunteers #COVID-19’ që vazhdimisht po ju ndihmojnë familjeve në varfëri në këtë periudhë.

– Platforma edspot.org që po ofron kurse online pa pagesë të gjuhës shqipe dhe matematikës për nxënësit e shkollës së mesme të ulët.

– 70 ekipet garuese të Hack the Crisis Kosova që dizajnuan zgjidhje të shkëlqyeshme digjitale për problemet në lidhje me virusin Corona.

Kurti ka përgëzuar të gjithë ata që qëndrojnë prapa këtyre iniciativave si dhe për punën e palodhshme që po bëjnë në këtë periudhë të vështirë për të mirën e shëndetit publik.