Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, bënë homazhe tek varrezat në Mejë të Gjakovës, në nderim të personave të zhdukur.

Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe 27 prilli shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.

Në Mejë, 376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, masakruan dhe kidnapuan brenda ditës.

Në njoftimin për media të Kryeministrisë thuhet si si rrjedhojë e situatës së krijuar nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit, e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, Kurti zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh.

“Hapësira të zbrazëta mes varresh, pa pllakë përkujtimore e pa varr, qëndronin mes varreve aktuale, në pritje të 13 të tjerëve të cilët akoma sot mungojnë nga kjo masakër e kobshme. Sot, 21 vjet pas, përgjegjësit – emrat e të cilëve janë përmendur edhe në Gjykimet e Tribunalit të Hagës – janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit. Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë, këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer. Sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim”, tha Kurti.