“Luftëtarët e lirisë kishin ndërgjegje të lartë njerëzore, kishin përgjegjësi të thellë kombëtare dhe pikërisht nga këto dy karakteristika të tyre vinte edhe heroizmi, guximi e trimëria e pashoq”, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që sot bashkë me disa anëtarë të partisë, bënë homazhe në nderim të 20 vjetorit të Epopesë së Çabratit.
VV thotë se 20 vite më parë, me datë 7 edhe 8 maj, në Çabrat u zhvillua luftë e drejtpërdrejtë me forcat serbe ku ranë 7 dëshmorë dhe 41 civil. 43 qytetarë të asaj lagje në Gjakovë u rrëmbyen dhe u zhdukën kurse 77 të tjerë, po ashtu të paarmatosur, u arrestuan për tu mbajtur në burgje deri në vitin 2001. Mbetën të tjerë të plagosur, e në mesin e dëshmorëve patëm edhe Yllka Domin, që ra në këtë betejë.
“Me nderimet që iu bëjmë dëshmorëve dhe martirëve të kombit ia përkujtojmë vetes se sa i lartë ishte edhe çmimi për lirinë edhe vetëmohimi i luftëtarëve të lirisë, dhe sesi nuk duhet të devijojmë nga rruga e tyre, ngase ajo është e vetmja rrugë që mund të na shpie përpara”, tha Kurti duke theksuar se ideali i tyre përputhet edhe me dëshirat edhe ëndrrat e brezave që vijnë.






