Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i është përgjigjur presidentit Hashim Thaçi lidhur me kërkesën e tij për ta dërguar emrin për mandatarin e Qeverisë së re.

Ai i ka thënë Thaçit se po përdor standarde të dyfishta dhe po tenton të imponojë rrugë jokushtetuese.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën ka potencuar se e ka të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ai tutje ka shtuar se nuk është në kompetencën e presidentit vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror.

Kurti tutje ia ka kujtuar Thaçit se kjo shkresë nuk është refuzim për ta dhënë emrin e kandidatit për kryeministër.

Sipas tij, është një rikujtim i kornizës së kompetencave të presidentit dhe obligimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, duke shtuar se nuk është në diskrecionin e tij që të imponojë skenarë jokushtetues.

Ai ka potencuar edhe njëherë se zgjedhjet janë opsioni i vetëm, duke shtuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet në kohë pandemie.

Letra e plotë:

Republika e Kosovës

Republika Kosova – Republic of Kosovo

Qeveria – Vlada – Government

Zyra e Kryeministrit – Ured Premijera – Office of the Prime Minister

Datë: 13.04.2020

Ref: 120/2020

I nderuar President i Republikës së Kosovës,

Në shkresën tuaj të datës 01.04.2020, si dhe gjatë takimit tonë ndërinstitucional të së njëjtës datë, ju keni theksuar, ritheksuar dhe stërtheksuar vullnetin tuaj për të respektuar në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Prandaj, më lejoni që t’ju shpreh keqardhjen time të thellë pas shkresave tuaja të fundit, në të cilat ju e deklaroni haptas qëllimin për të anashkaluar detyrën tuaj kushtetuese që të shpërndani Kuvendin dhe të shpallni zgjedhje të reja, pas përfundimit të betejës kundër COVID-19.

Ndonëse në dy shkresat tuaja të fundit, atë të datës 02.04.2020 dhe atë të datës 10.04.2020, thirreni në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14 i datës 30.06.2014 (i publikuar më 01.07.2014), veprimet tuaja të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ju referoheni dhe Aktgjykimin të cilin ju përmendi, tregojnë se Ju dhe stafi juaj nuk i keni lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat.

Në shkresën tuaj të datës 10.04.2020 theksoni se keni zhvilluar takime konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive politike në raport me zgjedhjet e reja apo formimin e Qeverisë së re. Më lejoni të ju rikujtoj se nuk është në kompetencën e Presidentit të Republikës së Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në paragrafin 84 të Aktgjykimit të saj në rastin KO 103/14 shprehimisht ka konstatuar se “Gjykata rithekson se Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, qoftë shumicë absolute, qoftë relative.” Prandaj duke zhvilluar takime të tilla konsultative, Ju keni vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte juridike përmes të cilave realizohet kushtetutshmëria dhe konsiderohen burim i të Drejtës Kushtetuese. Për të qenë edhe më i qartë, siç e dini, para takimit dhe pas takimit me Ju, jeni njoftuar zyrtarisht nga unë se takimet me ju po i zhvilloj në cilësinë e Kryeministrit në detyrë dhe kam qenë i shoqëruar nga dy këshilltarët e mi të jashtëm të cilët nuk janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kam qenë në takim që për temë diskutimi ka pasur gjendjen e emergjencës shëndetësore dhe çështjen e shpalljes së zgjedhjeve pas mocionit të mosbesimit.

Po ashtu, më lejoni të ju rikujtoj se pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese. Se nuk ka pasur asnjëherë takime konsultative me partinë politike që ka fituar shumicën në Kuvend është fakt notor. Se presidenca çdoherë e ka konsideruar të domosdoshme shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve, përpos që vërtetohet me faktin se në vitin 2010[1] dhe 2017[2] është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet në po të njëjtën ditë kur mocioni i mosbesimit është votuar në Kuvend, po ashtu vërtetohet nga intervista e U.D Presidentit z. Jakup Krasniqi i cili në datën 02.11.2010 pati theksuar se “Ndoshta është mirë të sqaroj se ky mocion ndodh sipas pikës kushtetuese ku flitet për Kuvendin dhe në fund të këtij kapitulli, në Nenin 82 parashihet se nëse mocioni i mosbesimit mbështetet nga 61 deputetë, atëherë nuk ka më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje. Edhe kjo bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.” Duke vazhduar se “Me Kushtetutë është paraparë që pasi të kaloj mocioni, kam të drejtë që deri në dhjetë ditë të shpërndaj Kuvendin dhe pastaj ta dekretoj datën e zgjedhjeve. Por ndoshta këtu duhet të ketë procedura më të shpejta për shkak se koha na obligon që të kemi procedura më të shpejta. Sido që të jetë, ne do të veprojmë gjithmonë duke u bazuar në normat e parapara me Kushtetutë.”[3]

Në fakt, se zgjedhjet janë opsioni i vetëm pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit është theksuar edhe nga Ju në vitin 2010, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 02.11.2010, kur keni kërkuar votat pro mocionit të mosbesimit keni theksuar se “Sot besoj se do të votoni drejt duke i vënë fund krizës institucionale e politike e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarrë besimin e tyre. Duke e bërë një veprim të tillë, i cili është plotësisht në përputhje me kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë me një legjitimitet të ri.”[4]

Pikërisht me faktin se një mocion mosbesimi detyron presidentin që t’i shpallë zgjedhjet, AAK në atë kohë pati refuzuar që të merr pjesë në votimin e mocionit nën arsyetimin se “Sipas kësaj partie mocioni i mosbesimit të qeverisë nuk ishte kërkuar për ta nxjerrë vendin nga kriza institucionale, mirëpo me të vetmin qëllim që ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.”

Do të më thoni që këto procese kanë ndodhur në vitin 2010, pra para marrjes së Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO 103/14. Megjithatë rast i njëjtë sikur në vitin 2010 ka ndodhur edhe në vitin 2017 (pas Aktgjykimit të Kushtetueses), ku pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit është shpërndarë Kuvendi dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të reja. Edhe në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 10.05.2017, iniciuesit e mocionit të mosbesimit nuk kishin asnjë dilemë se pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit kishte vetëm një procedurë që duhej ndjekur dhe atë jo në Kuvend, por shpalljen e zgjedhjeve nga presidenti.

Mënyra se si është jetësuar deri tani Kushtetuta, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, është në përputhje me frymën dhe shkronjën e saj, ashtu si dëshmojnë edhe deklaratat publike të anëtarëve të Komisionit për hartimin e Kushtetutës. Në mesin e tyre Prof. Dr. Arsim Bajrami i cili në vitin 2014 kishte deklaruar se “në qoftëse opozita arrin ta rrëzojë Kryeministrin në rrugë parlamentare që ndodh në shumë vende, me mocion mosbesimi, që është instrumenti kryesor për ta rrëzuar një qeveri, për t’ia ndërprerë mandatin, për mos ta lërë për të shkuar 4 vjet por për ta ndëshkuar në vitin e parë a të dytë, e nëse opozita ka sukses, Kushtetuta jonë nuk i jep të drejtë opozitës që ajo ta bëjë Kryeministrin, por automatikisht e çon vendin në zgjedhje. Nuk jemi ne sistem i Italisë.” Për më tepër ai vazhdon të theksojë se një konsensus për të përcaktuar zgjedhjet si alternativën e vetme kushtetuese pas mocionit të sukseshëm të mosbesimit ka qenë në koordinim edhe me juve. “Na e kemi këtë sistem politik. Ka sisteme të tilla në vende tjera, por ne e kemi zgjedh kur e kemi shkru kushtetutën, jo vetëm ne hartuesit e kushtetutës por kanë qenë edhe liderët me neve, ne vazhdimisht i kemi njoftu për këto sene, ka qenë një konsensus se ne po e marrim këtë sistem politik, dhe ky sistem politik është i këtij lloji, që nuk mundet me u anashkalu rezultati i zgjedhjeve dhe sa herë të dëshirohet që ky rezultat të ndërrohet me rrethana të reja në Parlament, atëherë praktikisht mund të rrëzohet Qeveria me mocion mosbesimi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.”

E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni këtë?

Z. President, meqenëse prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i të gjithë Qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit COVID-19, çdo çështje tjetër partiake apo politike duhet konsideruar e rëndësisë dytësore apo tretësore, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e Qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në kohën më të papërshtatshme të mundshme, ju po kërkoni që gjendjes emergjente të shëndetit publik, t’i shtoni një krizë të natyrës kushtetuese dhe politike, duke kërkuar me çdo kusht, pa asnjë mbështetje në Kushtetutë, që të hiqet Qeveria në detyrë, mu në javët më kritike të betejës sonë kundër COVID-19.

Prandaj në frymën e kësaj gjendjeje faktike dhe juridike besoj se edhe Ju e keni tani të qartë që nuk është detyrë e Presidentit që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për Kryeministër. Sidomos jo në një periudhë të emergjencës shëndetësore. Por më lejoni të theksoj, se kjo shkresë nuk është refuzim për të ju dhënë një emër të kandidatit për Kryeministër. Është një rikujtim i kornizës së kompetencave tuaja dhe obligimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, sepse nuk është në diskrecionin tuaj që të impononi skenarë jokushtetues. Po ashtu, përpos që është edhe një përkujtim se shëndeti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është prioriteti im dhe i Qeverisë, është ftesë që edhe Ju ta vendosni si prioritetin tuaj duke lënë mënjanë lojërat politike dhe duke mos rrezikuar më jetën dhe shëndetin e qytetarëve tonë.

Me respekt,

Albin Kurti

Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës