Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova te Turqia e sheh një shtet aleat dhe popull mik. Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, në shënim të “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë” të premten, Kurti ka thënë se Turqia është partnere strategjike e Kosovës dhe se Qeveria synon të zgjerojë bashkëpunimin me Turqinë.

Në 6-vjetorin e tentimpuçit në Turqi, Kurti ka thënë se nata e 15-16 korrikut të vitit 2016 ishte “ngjarje e rëndë për Turqinë, por edhe natë e ankthshme për demokracitë kudo në botë”.

“Para syve tanë po tentohej që pushteti t’i rrëmbehej me forcën e armëve përfaqësuesve të zgjedhur të popullit turk. Populli u ngrit në mbrojtje të demokracisë, miliona qytetarë mbushën sheshet, ata me trupat e tyre formuan barrikada kundrejt tankeve dhe në fund fituan. Gjithashtu, partitë parlamentare njëzëri e dënuan aventurën e grushtit të shtetit dhe qëndruan së bashku në mbrojtje të sovranitetit popullor dhe të parlamentarizmit. Demokracia turke e përballoi me sukses një sfidë të rëndë dhe para aktit vetëflijues të të rënëve dhe të të plagosurve përkulemi me respekt”, ka thënë Kurti.

Sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri më tej ka lavdëruar raportet ndërshtetërore. Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Kosova te Turqia shikon një shtet aleat dhe një popull mik, me të cilin kemi lidhje të ngushta historike, marrëdhënie të sinqerta dhe të dobishme në shumë plane në të tashmen. Edhe për të ardhmen, populli i Kosovës dhe ai i Turqisë ndajnë perspektivën e paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, të integrimeve në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si edhe të zhvillimit ekonomik e social”, ka thënë Kurti që e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm rolin e Turqisë, si anëtare e NATO-s, në rajonet e Ballkanit, Detit të Zi, Evropës Lindore e Lindjes së Mesme.

“Turqia i vlerëson siç duhet kërcënimet ndaj sigurisë në rajonit tonë dhe është mbështetëse e zgjerimit të NATO-s dhe të ndikimit të aleancës veriatlantike në Ballkanin Perëndimor. Turqia mbetet një partner strategjik i Kosovës dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar në vijimin dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve ekonomike e kulturore dhe sociale mes dy vendeve”, ka thënë ai.