Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë nënshkruar sot Kartën për Komunën e gjelbër, shkruan Llapi.info.

Bulliqi, në një postim në Facebook, ka thënë se përmes kësaj marrëveshje Qeveria  dhe Komuna e Podujevës ndajnë vizionin e njëjtë për transformimin e komunës në një vend më të pastër, më të zhvilluar dhe më të qëndrueshëm; më tërheqës për të jetuar, punuar dhe investuar.

Më poshtë postimi i plotë i Bulliqit:

Me kryeministrin e Kosovës, z.Albin Kurti nënshkruam Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme e cila ka për qëllim që të përshpejtoj realizimin e Marrëveshjes së Gjelbër për Kosovën dhe të përmbush Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm mjedisor.

Përmes kësaj marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Podujevës ndajnë vizionin e njëjtë për transformimin e komunës në një vend më të pastër, më të zhvilluar dhe më të qëndrueshëm; më tërheqës për të jetuar, punuar dhe investuar; që kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ne si komunë u zotuam që të ndërmarrim veprime në pesë fushat e Agjendës së Gjelbër:

Zotimi për Klimën, Zotimi për ajër, ujë dhe tokë të pastër, Zotimi për bujqësi dhe sistem ushqimor të qëndrueshëm, Zotimi për mbrojtjen e biodiversitetit dhe Zotimi për prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efiçient të burimeve.
Si kryetar komune do të përkushtohem që me punë dhe angazhim të përbashkët me nivelin qendror do të zbatojmë kartën e gjelbër e cila na dërgon drejt një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm në hapësirat ku jetojmë. 🤝🍀