Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, në ditëlindjen e tij ka kulmuar me tubimin qendror madhështor në fshatin Zhegër të Gjilanit me moton “I këndojmë Agimit”, i cili është organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit”.

Pos strukturave komunale, në këtë tubim madhështor kanë marrë pjesë edhe deputetë, bashkëluftëtarë të dëshmorit e përfaqësues nga jeta politike, institucionale e kulturore.

“Agim Ramadani është simboli i lirisë dhe simboli i paqes që po e gëzojmë sot. Veprën e tij madhështore e la përmes armës, penës dhe poezisë. Sot e 20 vite radhazi, në e shënojmë ditëlindjen e tij në mënyrë madhështore, këtu në Zhegër. Kjo ditë le të mbetet gjithmonë festë për Gjilanin dhe Kosovën. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, ka thënë para të pranishmëve kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini,

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ndërkaq në emër të familjes ka folur bashkëshortja e Agimit, Shukrie Ramadani, e cila e ka falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e këtij tubimi, duke shtuar se familja e saj do të vazhdojë ta jap kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.

Tubimi “I këndojmë Agimit” është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët të mirënjohur të estradës kosovare, Kastriot Tusha, Gold Ag, Faton Isufi etj. ​