Shkruan: Florim Zeqa

Kosova ka nevojë për një subjekt të ri politik, sikurse njeriu që ka nevojë për thithjen e ajrit të pastër. Pasi tanimë jemi të ngulfatur nga një politikë disfatiste dhe e pashpresë për qytetarët e Kosovës.
Duhet dhënë hapësirë të gjithë atyre që e duan me zemër dhe me shpirtë atdheun e tyre, për t’i dhënë fund politikbërjes 20 vjeçare në Republikën e Kosovës, për t’iu dhënë fund njëherë e mirë keq-qeverisjes dhe antivlerave, abuzuesve dhe uzurpatorëve të shtetit.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë nga shkojnë paratë e tyre

Kur shteti vjedhet nga ata që paguhen më së shtrenjti nga shteti, varfërohen ata që kanë dhënë më së shumti për shtetin. Sa më shumë që po pasurohen politikanët, aq më tepër po varfërohen qytetarët.
Të gjitha partitë politike, pa dallim pushtet dhe opozitë janë bërë bashkë dhe janë bërë pjesë e këtij sistemi të keq-qeverisjes në vendin tonë. Të gjithë deputetët pa dallim, pushtet dhe opozitë bëhen bashkë për ngritje të pagave të nivelit të lartë dhe për ligjin për financimin e partive politike, por jo edhe për interesin e qytetarëve, siq është projektligji për rimëkëmbje ekonomike.
Qytetarët e vendit që i paguajnë rregullisht tatime shtetit, kanë të drejtë të dinë nga ju shkojnë paratë dhe si shfrytëzohen mjetet e tyre nga njerëzit e veshur me pushtet.
Zgjidhja është fare e thejshtë. Kthimi i Agjensionit Antikorrupsion në një format të ri dhe krahas agjensionit për të hyrat e qytetarëve, duhet të themelohet agjensioni i të dalurave nga buxheti i shtetit për të kuptuar më lehtë qytetarët të vërtetën e lëvizjeve financiare nga buxheti i shtetit, gjegësisht për abuzimin e pushtetarëve me paratë e taksapaguesve të varfër kosovarë, para të cilat kanë arritur edhe deri tek xhepat e sekserëve të pushtetarëve të inkriminuar në Diasporë.
Populli më i politizuar në rruzullin tokësorë, nuk guxon të sillet si apolitik, sikur nuk është duke ndodhur asgjë, kur nga të gjitha anët është rrezikuar ekzistenca e shtetit tonë-Republikës së Kosovës.
Bota e lirë dhe demokratike ka mbetur e habitur me popullin më aktiv dhe më liridashësh në Gadishullin Ballkanik me heshtjen ndaj klasës së tyre poltike, e cila, jo vetëm djersën, edhe gjakun po ua pinë me pambuk, duke i lënë si mumie të gjalla e të pashpresa në vendin me pasuri të shumta nëntokësore dhe resurse të pasura natyrore.

Kapësit e rinjë të shtetit nën petkun e shpëtimtarëve

Me secilin që bisedon, shprehet i pakënaqur me situatën politike në vend, por jo të gjithë punojnë për ndryshimet pozitive në këtë vend.
Riciklimi i figurave politike nga një subjekt politik në tjetrin, nga njëri krah politik në tjetrin, nga e djathta në majtë dhe anasjelltas nuk e ndihmon ndryshimin politik në vendin tonë, përkundrazi e rrezikon stërzgjatjen e kapjes së shtetit nga uzurpatorët e rinjë të veshur në petkun nacionalist si shpëtimtar të vendit.
Me e humbjen e privilegjeve të pushtetit, të pakënaqurit tubohen në subjektin opozitar me koncepte ideologjike krejtësisht të kundërta, jo për të mbrojtur parime, por për t’iu kthyer pushtetit përmes formacionit tjetër politik.
Me këtë klasë politike në pushtet dhe opozitë rrezikojmë t’i humbim edhe 20 vite të tjera, pa zhvillim ekonomik, pa mirëqenje qytetare dhe pa barazi ligjore.
Janë këto 20 vjet të humbura për Kosovën. E vetmja gjë pozitive në Kosovën e pas luftës është, që shqiptarët e robëruar nuk janë më nën thundrën e çizmës së pushtuesve serb, por jo edhe të liruar plotësisht nga vargonjët serbosllav.
Mos t’i humbim edhe 20 vite të tjera, të bashkohemi për një fillim të ri!
Një fillim i ri, alternativa e vetme për ndryshim!