Në Gjermani shumicën e herëve atë e prezantojnë si autore rumune, letërsia rumune e sheh si gjermane, shkruan Carmen-Francesca Banciu. Shpesh ajo përfundon midis dy stolave. Në SHBA është ndryshe.

Identiteti, integrimi dhe përkatësia: aktualisht këto tema kërcënojnë të na vënë poshtë. Prandaj ndoshta është më mirë që kolektiven ta zbërthejmë te individualja, për ta bërë më të kuptueshme. Edhe në shembullin e artistëve dhe të autorëve është interesante që të vëzhgosh, sa i komplikuar dhe kontradiktor është procesi i pranimit dhe i integrimit. Kultura është një fushë ku mbizotërojnë fort emocionet. Shqetësime shumë më të mëdha se pranimi në rrjetin e sigurimeve sociale shkakton bërja e të huajve pjesë të kulturës tënde. Sepse kultura është zemra e një shoqërie. Identiteti, integrimi dhe përkatësia janë tema, të cilat më preokupojnë edhe mua personalisht. Veçanërisht kur afrohet koha e Panairit të Librit të Lajpcigut. Në mënyrë krejt të veçantë kur shfaqet një libër i ri i imi – si tani – më duhet të mendohem për identitetin tim si autore. Për identitetin tim dhe të autorëve që nuk kanë lindur në Gjermani si unë. Cilës kulturë, cilës letërsi i përkasim ne? Si prezantohemi? Nuk ka rëndësi si e përkufizon ti veten, por edhe si të perceptojnë dhe të prezantojnë.

Ne, autorët me të ashtuquajturin sfond migranti, kemi identitete të disafishta dhe shumë të ndryshme; për disa nga këta autorë, gjermanishtja ka qenë gjithmonë gjuha e tyre amëtare. Në këtë mënyrë, ata integrohen pak a shumë në mënyrë të vetëkuptueshme, por jo krejtësisht, në kulturën e këtushme.

Autorët me “sfond migranti” dhe përcaktimi

Integrim me siguri nuk do të thotë që të shkëputesh nga e kaluara jote, të shkëputesh nga rrënjët e tua, por që të zhvillohesh më tej me rrënjët e tua në një tokë të re, të rritesh, mbase edhe të rritesh duke dalë jashtë vetes dhe të shkosh pak më larg, atje, ku ke mbërritur dhe ku pranohesh.

Autorë që janë më origjinë nga qarqe gjuhësore dhe kulturore të tjera, shpesh përkufizohen në bazë të origjinës së tyre. Në këtë rast ata konsiderohen edhe ekspertë për tema, të cilat prekin vendin e tyre të lindjes, por i pyesin rrallë për tema dhe për vendime të rëndësishme, të cilat prekin jetën në shoqërinë e re. Edhe kur kanë kohë që jetojnë në Gjermani dhe kur vepra e tyre letrare është e shkruar në gjermanisht. Ekziston edhe kategoria ndërkohë në zhdukje e autorëve, të cilët ndihen përgjithmonë të huaj dhe që vazhdojnë të shkruajnë në gjuhën e tyre amëtare. Dhe pastaj janë edhe ata, që nga pikëpamja e teknikës kulturore shkruajnë në një gjuhë “neutrale”, shumicën e herëve në anglisht.

Në Gjermani shumicën e herëve mua më prezantojnë si autore rumune. Letërsia rumune ka kohë që është ndarë prej meje dhe më llogarit ndër autorët gjermanë. Kështu që shpesh përfundoj midis dy stolave. Krejt ndryshe është gjendja në SHBA dhe në Britaninë e Madhe – atje më prezantojnë si gjermane dhe rumune ose si autore ndërnacionale. Kjo mund të ketë të bëjë me faktin që atje, identitetet e shumëfishta kulturore më tepër bëjnë pjesë në normalitet.

Së shpejti do të bëhen 30 vjet që unë jetoj në Gjermani. Koha që kam kaluar në këtë vend shpejt do të jetë dyfishi i kohës që kam kaluar në moshë të rritur në vendin ku kam lindur.

Perspektiva e një berlinezeje me rrënjë të gjera

Në vitin e parë timin në Gjermani unë jetoja si mysafire në Berlin, e ftuar nga programi për artistët i DAAD. Në fillim shkruaja në rumanisht, librat e mi botoheshin vetëm të përkthyer. Shpejt mora vendimin e ndërgjegjshëm që të jetoj në Berlin. Dhe në këtë mënyrë mora edhe vendimin që ta zgjedh gjermanishten jo vetëm si gjuhë të jetës së përditshme, por edhe si gjuhë të librave të mi. Me kalimin e kohës ndryshoi edhe perspektiva, prej së cilës nisem kur i shkruaj librat e mi. Unë i shkruaj librat në gjermanisht nga perspektiva e një berlinezeje me rrënjë të gjera dhe me vështrim të zgjeruar, i cili e kalon kufirin nacional.

Gjuhën e kam pushtuar hap pas hapi – dhe ajo është bërë imja. Në të unë ndihem e mbrojtur dhe e fortë. Dhe aq e guximshme sa të thyej rregullat e gjuhës, kur më duket e përshtatshme nga ana letrare. Unë vazhdoj ta gdhend qartësinë letrare dhe fuqinë shprehëse të gjuhës sime. Dhe besoj se në këtë mënyrë kontribuoj në një këndvështrim shumështresor, të gjerë, pasurues në jetën dhe në të kuptuarin e protagonistëve të tij.

Unë kam lindur në Rumani.

Unë jam një autore berlineze.

Unë jam një autore gjermane dhe rumune.

Unë jam autore evropiane.

Unë jam një autore ndërnacionale.

Çfarëdo tjetër që të jem, unë jam një autore që i përket si kulturës gjermane, ashtu edhe kulturës rumune.

Carmen Francesca-Banciu është shkrimtare rumuno-gjermane dhe docente. Ajo jeton si autore në Berlin dhe jep seminare për “Shkrimin kreativ”. Nga viti 1996 ajo shkruan edhe në gjuhën gjermane./DW