Bizneset kosovare po ankohen se nuk kanë hapësirë të mjaftueshme në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit në Tiranë.

Në të po marrin pjesë rreth 200 biznese nga rajoni e bota, në edicionin e 27 të këtij organizimi.

“Hapësira nuk është e mjaftueshme, pjesën dërrmuese e kanë kompanitë serbe dhe kompanitë turke”, shprehet Kushtrim Kasumi nga kompania “Pestova”, njofton Klan Kosova.

Sidoqoftë, kjo ngjarje është mundësi e mirë për afaristët që të takohen me kolegë nga rajoni, për zgjerim të tregut, pasi për herë të parë marrin pjesë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ky bashkëpunim, sipas serbëve, mund të jetë më i mirë pa ndikim të politikës, duke u thirrur megjithatë në një nismë politike si “Open Balkan” të cilën nuk e përkrah Kosova.

“Politika të ketë sa më pak ndikim në marrëdhëniet ekonomike, që ekonomia të bashkëpunojë pa kufi, se duhet t’i heqim kufijtë për biznese për të mundësuar rritje dhe zhvillim për të gjithë”, thotë Aleksandar Radovanoviq nga Oda e Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë.

Nga Oda e Tregtisë dhe Industrisë serbe e cilësuan zhvillim pozitiv rritjen e eksportit prej 48% nga Shqipëria për në Serbi dhe atë anasjelltas për 28%.