Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës raportohet të ketë dhënë mbrëmë pas mesnate fletëqortimin e parë për një qytetare serbe në veri të vendit.

Siç raporton Euronews, automjeti i parë ka kaluar saktësisht në mesnatë, dhe të njëjtit i është shqiptuar fletëqortimi i parë, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Zonja që ka marrë fletëqortimin ka thënë për Euronews Serbia se ende nuk e di nëse do ta riregjistrojë veturën e saj me targa RKS dhe se varet se çfarë thonë zyrtarët nga Serbia.

“Ata nuk na thanë asgjë kur arritëm në vendkalim. Tani për tani, nuk do të bëj asgjë. E jona është siç thonë ata, kështu që do të shohim,” tha ajo për Euronews Serbia.

Kujtojmë se përkundër kërkesave të SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e afatit të ri-regjistrimit të veturave për 10 muaj, Qeveria e Kosovës të premten ka vendosur që këtë vendim ta zbatojë në katër faza.

Është bërë e ditur se në fazën e parë – nga sot e deri më 21 nëntor, policia e Kosovës do t’u japë vërejtje vozitësve të veturave me targa të Serbisë dhe do të kërkojë që t’i regjistrojnë veturat me targa RKS.

Në fazën e dytë, nga 21 nëntori deri më 21 janar, serbët me targa të Serbisë do të gjobiten me 150 euro.

Faza e tretë parasheh lëshimin e targave provuese dhe do të zgjasë deri më 21 prill, kur sipas vendimit targat serbe do të ndalohen në Republikën e Kosovës. /Reporteri.net