Hetuesit policorë të Krimeve të Rënda bashkë me ata të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i mbushën dy kamionë me gjërat që i morën në katër lokacione që kontrolluan në komunën e Shtërpcës.
Veç konfiskimit të më shumë se 15 kamerave të kontrolluara nga strukturat paralele serbe, këta nuk lanë asgjë në komunën ilegale që gjendet aty.
Në kamion ngarkuan planifikimet buxhetore që serbët kishin bërë më 2020, por edhe evidencat e të vdekurve dhe atyre që lindën që nga fillimi i shekullit të kaluar.
Bile morën edhe fotografi të këngëtarëve të preferuar të zyrtarëve serbë.
As me pajisje teknologjike nuk ia lanë mangu, ku një prej tyre duket se ishte edhe donacion nga Bashkimi Europian.
Me këto prova materiale, që Klan Kosova arriti t’i xhiroj nga afër, u morën edhe flamujt e Serbisë që ishin vendosur në këto institucione paralele.
Flamujt jo, por kamerat që i kishin vendosur serbët u tha se kanë spiunuar te institucionet e sigurisë në Serbi, e nga aty te ata që i monitorojnë ato institucione.
Sipas prokurorit të rastit, Rasim Maloku, këto kamera do t’i tregonin Serbisë edhe për veprime të policisë.
Për kryenegociatorin e Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, që tha se kamerat e sekuestruara nuk punojnë prej vitesh, Maloku tha se këta kanë informacion që ato ishin funksionale dhe se dihet që ato nuk janë vendosur aty për dekor.
Nga ky aksion të arrestuar nuk pati, por të intervistuar po.





