Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se ka zhvilluar një aksion për largimin e gomave te pishat e fshatit Metehi, shkruan Llapi.info.

Në një komunikatë për medie, drejtoria e Inspektoratit në Podujevë ka paralajmëruar gjoba për ndotësit e ambientit.

“Pas informatave që ka pranuar Drejtoria e Inspeksionit nga Stacioni Policor në Podujevë për hudhjen e gomave mbeturinë në pishat e fshatit Metehi nga persona të panjohur, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe përmes kompanisë së kontraktuar nga komuna është bërë largimi i këtyre gomave nga kjo hapësirë. Gjatë aksionit ishte i pranishëm edhe drejtori i Inspeksionit, Besnik Mulliqi, i cili iu bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që veprime të tilla të hudhjes së mbeturinave të mos ndodhin dhe bashkërisht të angazhohemi në mbrojtjen e mjedisit. Ndërsa, drejtori Mulliqi siguroi se për të gjithë personat të cilët hedhin mbeturina në vendet që nuk janë të përcaktuara nga autoritetet e komunës, do të ketë sanksione në kuadër të mandatit ligjor dhe autorizimeve që ka Drejtoria e Inspeksionit”, thuhet në njoftim./Llapi.info