Para balotazhit të 19 nëntorit, Komuna e Podujevës vendosi të blejë inventar të ri për objektin ku punojnë zyrtarët e saj.

Legjislatura e re komunale që doli nga zgjedhjet e 22 tetorit dhe kryetari i zgjedhur i Podujevës në balotazh do ta kenë fatin të përdorin inventarin e ri të komunës.

Komuna e Podujevës njoftimin për dhënie të kontratës për furnizim me inventar për objektin e ri të komunës e bëri të ditur në faqen e Komisinit Rregullativ të Prokurimit Publik më 10 nëntor.

Furnizimi me inventar në vlerën prej 76 mijë e 642 eurove i është besuar kompanisë “Duglas” NTP.

Për këtë aktivitet të prokurimit komuna kishte planifikuar të shpenzonte deri në 116 mijë euro, duke përdorur procedurën e mesme dhe të hapur të prokurimit me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit, në garë morën pjesë 4 operatorë ekonomikë, ndërsa çmimi më i lartë i ofertuar për këtë tender ishte 97 mijë e 180 euro që i bie rreth 30 për qind më i shtrenjtë në krahasim me çmimin e ofruar të operatorit ekonomik të shpërblyer me kontratë.

Sipas thirrjes për kontratë, komuna bleu një kabinet për kryetar, 74 tavolina të ndryshme, 358 karrige të ndryshme, 38 ulëse për dy persona, mbi 254 metra katrorë dollapë, 6 kuzhina dhe një recepcion.

Në garën për kryetar të Komunës së Podujevës në rundin e dytë Agim Veliu nga LDK-ja mposhti Ajet Poterën e Vetëvendosjes.

Veliu fitoi 63,70 për qind të votave, ndërsa Potera 36,30 për qind të tyre./Kallxo.com