Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës t’u shqiptohet masa e suspendimit. Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se ata dyshohen për kryerjen e tri veprave penale, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se bëhet fjalë për toger Ilir Xhemaili, komandant i pikës statike në Izvor dhe Marian Gizdiç, hetues në Forenzikën Rajonale në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë të Veriut.

Xhemaili dhe Gizdiç dyshohet se nuk kanë përfillur urdhrat e prokurorit të rastit, i cili kishte urdhëruar që mos të futet askush në objektin ku u krye bastisja gjatë operacionit antidrogë në veri të vendit.

Kështu ata kanë hyrë në pronën e Sinisha Nedelkoviç e ku më pas dyshohet se kanë konfiskuar një hardisk dhe shtatë fishekë.

Sipas njoftimi të IPK-së, Xhemaili dhe Gizdiç dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Dhënia e ndihmës kryeseve pas kryerjes penale”.

Hetimi i këtij rasti është vazhdimësi e hetimit të rastit të mëhershëm ku IPK ka arrestuar zyrtarin policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Policinë e Kosovës, Andria Rakiq, i cili dyshohet se dëmtoi provat në laboratorin e drogës që u zbulua javë më parë në Zveçan.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.