Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për Krime të Rënda, sot ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh.
Masa e paraburgimit kërkohet ndaj të dyshuarve F.I. (1999), B.I. (1986), S.I. (1978), I.I. (1969), H.I. (1961), të cilët dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, si dhe ndaj të dyshuarit E.I. (1990), për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Lëndim i rëndë trupor’’.
Sipas një njoftimi për media, thuhet se të dyshuarit të përfshirë në këtë bashkëveprim dhe me dashje kanë privuar nga jeta një person.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit F.I., B.I., S.I, I.I. dhe H.I., më 2 maj 2019, rreth orës 9:30 – 9:50 minuta, në fshatin Sodovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, në bashkëveprim dhe me dashje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I., në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, e kanë goditur të njëjtin me mjete të forta – vegla pune dhe dru, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku si pasojë e lëndime, viktima fillimisht dërgohet në Spitalin Regjional në Gjilan, e më pas transferohet në QKUK, në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë. Gjithashtu, të pandehurit e lartcekur, kanë rrezikuar seriozisht jetën e bashkëshortes së të ndjerit – të dëmtuarës K.I., dhe të pandehurit tjetër E.I., duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ndërsa, i pandehuri E.I., me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, me një lopatë, iu ka shkaktuar lëndime trupore të pandehurve I.I. dhe F.I., të cilët për shkak të lëndimeve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për media se një person ka mbetur i vdekur pas rrahjes që ka ndodhur dje mes shtatë personave në fshatin Sodovinë e Qerkëzve, komuna e Vitisë.