Ekipi i TV Llapit është kërcënuar nga drejtori i QKMF-së në Podujevë, pasi që TV Llapi ka kuptuar se kjo qendër është mbyllur për të shkuar në tubimin LDK-së.

Sipas reagimit të TV Llapi thuhet se, Drejtori i kësaj klinike, Zaim Thaçi ka kërcenuar ekipin e këtij televizioni, të cilët kishin shkuar ta konfirmojnë nëse vërtet ishte mbyllur qendra, për të marrë pjesë në tubimin parazgjedhor të LDK-së.

Reagimi i plotë i TV Llapit :

Gjatë fushatës përmbyllëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, stafi i drejtorisë së Qendrës Klinike Mjekësore Familjare si dhe një numër i personelit mjekësor i kësaj qendre në Podujevë nuk ka qenë në vendin e punës. Ata  kishin vendosur që në kohën kur po mbahej ky tubim të dalin nga vendi i punës për të marrë pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të LDK-së.

Ekipi i Tv llapit vizitoi këtë qendër për të parë nëse kjo gjë është e vërtetë dhe pa se dera e drejtorisë ka qenë e mbyllur gjatë kohës sa është mbajtur tubimi i LDK-së në Podujevë.

Pacientët, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen para kamerave, kanë thënë se kanë ardhur që të flasin me drejtorin e spitalit, Zaim Thaçi, mirëpo drejtori së bashku me stafin e tij nuk kanë qenë në vendin e punës.

Më vonë gjatë kohës kur Ekipi i TV LLapit ka qenë duke xhiruar objektin e spitalit është kërcënuar nga  drejtori, Zaim Thaçi dhe personeli i sigurimit të kësaj qendre, me pretekstin se nuk keni leje që të xhironi objektin e spitalit. Ata kanë kërcënuar ekipin tonë duke thënë se nëse nuk largoheni do t’ju tërheqim zvarrë.

Ndryshe, oborri i spitalit ka qenë i mbushur me vetura të shumta të cilat kanë qenë të parkuara në këtë vend, e që shumë prej pronarëve të vetuarve kanë qenë në fushatën përmbyllëse të LDK-së.

Se në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të LDK-së kanë qenë të pranishëm edhe nxënës të shkollave të mesme, e potencon për TV Llapin, Sadat Jakupi, i cili tha se ka parë nxënës të cilët kanë marrë pjesë në këtë fushatë dhe se ndjehet i shqetësuar se pse nxënësit kanë lëshuar orët mësimore për t’iu bashkangjitur tubimit përmbyllës të fushatës zgjedhore të LDK-së.

Zëvendësdrejtoresha e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”,  Fatmire Fusha, sqaroi se të gjithë maturantët e kësaj shkolle janë në eskursion dhe se në ndërrimin e paraditës i kanë vetëm  7 paralele klasë të 10-ta, gjë që nuk ka pasur mundësi që nxënësit e kësaj shkolle të marrin pjesë  në fushatën përmbyllëse të LDK-së.

Kanë mbetur edhe katër ditë kohë që partitë politike t’i bindin qytetarët e Kosovës që të votojnë kandidatët e tyre për kryetarë të komunave. Përndryshe gjatë fushatave të tilla është bërë e zakonshme që nxënësit të jenë pjesëmarrës në tubime dhe puntorët të përfshihen në fushatë. ( …së shpejti videokronika. . . )