57 persona kanë humbur jetën për dhjetë vite në aksidente trafiku në rrugën Prishtinë – Podujevë, shkruan Llapi.info.

Këto shifra i ka ritheksuar sot në Kuvend, deputeti llapjan, Isak Shabani, të cilat, sipas tij, janë të dhënat e ofruara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Sipas të dhënave të ofruara në këtë Kuvend nga ministri Xhelal Sveçla, në segmentin rrugor Prishtinë – Podujevë, nga viti 2011 – 2022, kemi 1,556 aksidente. Prej tyre, 57 persona kanë vdekur. 3 mijë 745 të lënduar për një periudhë dhjetëvjeçare.  Kjo rrugë është njëra ndër segmentet më të stër-ngarkuara në Kosovë për nga numri i veturave. Prandaj, kryeministri, deputetë  të pozitës dhe kryetari i Podujevës, kanë premtuar se kjo rrugë do të kryhet gjatë këtij viti, por s’u krye. Të planifikohet ndarja e buxhetit për këtë rrugë. Kanë mbetur edhe tri llote, por kur do të përfundojnë ato”, ka thënë Shabani.

Në një përgjigje, ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme parlamentare tha se nuk mund të japë një date se kur do të përfundojë rruga Prishtinë-Podujevë

Sipas ministrit, kjo për shkak të rritjes së çmimeve edhe në fushën e ndërtimit e cila sipas tij, i ka ngadalësuar projektet infrastrukturore.

“Nuk mund të ju them data unë mund të ju them vullnetin dhe fillimin dhe inicimin e ndarjes së buxhetit këtë mund të ua premtoj, data nuk mund të ju them për një arsye për shkak se aktualisht rritja e çmimeve në fushën e ndërtimit e ka penguar dhe e ka stopu gjithë fushën e ndërtimit dhe rrjedhimisht i ka ngadalësuar edhe projektet infrastrukturore që janë. Cili do të jetë vendimi jemi duke e përgatitë ligjin për me sjellë këtu në Kuvend për çështjen e rritjes së çmimeve që ka ndodhur jo vetëm në Kosovë po në gjithë botën sot për shkak të agresionit rus në Ukrainë “, ka thënë ai./Llapi.info