Shumë gra kosovare ndajnë jetën me burra të cilët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj tyre. Ato rrezikojnë jetët e tyre duke banuar nën një çati me burra që s’hezitojnë t’i kërcënojnë edhe me jetë. Rastet e tilla nuk raportohen për vite me radhë, pasi gratë frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i dhunës dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në një familje në Llugë të Podujevës. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një grua 50-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë, pas kërcënimeve që ka marrë nga bashkëshorti i saj.

Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka kërcënuar me jetë duke i thënë “kam me t’pre”, thonë tutje të njëjtat burime.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.