Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është përkulur sot para memorialit të të zhdukurve si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Veseli duke nderuar të pagjeturit tek pllaka pranë Kuvendit të Kosovës është shprehur se ky simbol shfaq dhembjen e njerëzve dhe për këtë do të ketë shpagim, njofton Klan Kosova.

”Ky simbol prapa nesh që simbolizon dhembjen e njerëzve tanë, do shpagim”.

”Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin e vet që ka kryer mbi popullatën e pafajshme, mbi fëmijët tanë, civilët, përmes një tribunali ndërkombëtar që e kam iniciuar dhe i cili duhet ta marrë drejtimin e vet institucional”.

”Kosova e ka për obligim të kërkojë nga Serbia përgjegjie dhe nga kriminelët e Serbisë”.

”Kjo është ajo që duhet ta themi këtë përvjetor. Do ta themi çdo ditë, nuk ka shpëtim pa marrë shpagim as Serbia dhe asnjë kriminel që mund të mendojë se e ka kaluar lehtë këtë krim që e ka kryer mbi popullatën civile të pafajshme”.

Çka pritet të ndodhë në Qeverinë e re me tribunalin ndërkombëtar të iniciuar nga Kadri Veseli?

”Si për çdo gjë, për fat të keq politizimi i tepruar po e dëmton Kosovën”.

”Ne duhej tashmë ta kishim, jo Qeveria, por Kuvendi ta votonte tribunalin e iniciauar në legjislaturën e kaluar për faktin se nuk ka nevojë të riciklojmë debate të panevojshme që e bëjnë theksin e problemit në Kosovë kur ai është drejtpërdrejt në shtetin serb dhe ka të bëjë me kriminelët serbë që janë në Serbi”.