Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.
Mitchell,diplomati kryesor në çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit do ta lëshojë detyrën muajin e ardhshëm, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në një kohë kur liderët evropianë po vënë në pikëpyetje angazhimin e presidentit Trump për aleancat historike, njofton Klan Kosova.
“Përderisa administrata e përfundon vitin e dytë të saj në detyrë, mendoj se kam përfunduar atë që kam vendosur të bëj në këtë pozitë “, ka shkruar Mitchell.
“Si i tillë, besoj se ka ardhur koha që të kaloj më shumë kohë me familjen time të re, të cilët kanë kaluar shumë ditë pa mua gjatë disa muajve të fundit”.
Në një intervistë, Mitchell tha se dorëheqja e tij nuk është një protestë e politikave të administratës apo drejtimit të politikës së jashtme dhe ai vlerësoi udhëheqjen dhe vizionin e Pompeos.
“Jam plotësisht mbështetës ndaj tij, për punën që po bën, për ekipin udhëheqës këtu”, tha ai.
“Por unë ndihem sikur kam bërë atë që kam ardhur për të bërë. Fëmijët e mi kanë një kërkesë më të madhe për kohën time tani sesa publiku. ”
Në shtator të vitit 2017, Mitchell u bë ndihmës-sekretari i parë i shtetit në administratën e Trump i konfirmuar edhe nga Senati.
Mitchell mori detyrën në tetor 2017, pasi 12 vjet kishte punuar në një Institut të fokusuar në çështjet e Evropës Qendrore. Ai u emërua nga ish-sekretari e Shtetit, Rex Tillerson.






