Sot zhvillohen edhe pesë ndeshjet e javës së parafundit në këtë edicion në Superligën e Kosovës, javë kjo që takon Llapin dhe Ferizajn, njofton Llapi.info.
Ndeshja, e cila s’ka kurrfarë peshe për Ferizajn që tashmë sezonin tjetër nuk do jetë pjesë e Superligës, pritet të nisë me fillim nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”.
Përkundër pretendimeve për t’i kapur garat evropiane, ekipit të udhëhequr nga Tahir Batatina i duhet medoemos fitorja për të siguruar mbijetesën, në këtë edicion që për llapjanët ka qenë i dështuar, njësoj si për mysafirët.
Këto skuadra janë ndeshur dy herë në këtë edicion, derisa ferizajasit kanë bilanc shumë më pozitiv, duke mposhtur llapjanët në të dyja takimet. Në “Zahir Pajaziti”, Ferizaj e pati mposhtur Llapin me rezultat 2-4, derisa në shtëpi triumfuan 2-0.
Llapi momentalisht pozicionohet në vendin e shtatë të renditjes tabelare me 42 pikë, katër pikë larg zonës së kuqe, kurse Ferizaj zë vendin e dhjetë me 29 pikë të grumbulluara.
Ekipi nga Podujeva në këtë ndeshje hyn pas humbjes së pësuar në Mitrovicë nga Trepça ’89, ndërkohë që Ferizaj pësoi disfatë nga Dukagjini.
Burim Jahmurataj, i asistuar nga Fatlum Jashari dhe Hekuran Osmani do ta ndajnë drejtësinë në këtë përballje./Llapi.info






