Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Për një rast të tillë ka përfunduar në prangat e Policisë edhe një i ri në Istog, raporton Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë një 19-vjeçar dhe një i mitur, ku ky i fundit ka përfunduar në spital si pasojë e lëndimeve të marra.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur te Stacioni i Autobusëve në Istog, ku pas një konflikti mes palëve të përfshira, 19-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht të miturin, të cilin më pas e ka goditur me shufër metalike.

Sipas burimeve në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, i mituri është dërguar atje me lëndime në kokë dhe shpinë. Pas intervenimit të stafit mjekësor gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.

Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.